Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 14:55

Prishtinë-Sindikata e Bashkësisë Islame ka reaguar ndaj shpalljes së zgjedhjeve në Bashkësinë Islame të Kosovë (BIK), duke i konsideruara zgjedhjet si të paligjshme. Sipas kësaj Sindikate, Naim Tërnava po shkel mbi çdo normë shoqërore, morale dhe njerëzore vetëm për ti ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij.Duke përdorur metodën makiaveliste, z. Tërnava shkeli dhe po shkel çdo normë njerëzore, morale dhe fetare, duke krijuar tollovi e përçarje, në mesin e punonjësve dhe të besimtarëve, vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij të ngushtë, thuhet në kumtesën e Sindikates se BIK-;ut.

“Të ashtuquajturat shpallje të zgjedhjeve qendrore, të cilat po mbahen këto ditë në teren, kinse për të propozuar kandidatët për kryetar të BIK-së, nuk janë tjetër vetëm se vazhdimësi e parregullsive dhe kulminacioni i të së keqes në këtë institucion tonin dhe tuajin, kanë shtuar ata”.

Sipas Sindikatës, ndryshimi i kushtetutës së BIK-ut, vetëm një javë para shpalljes së zgjedhjeve, përmes formës imponuese puçiste, si dhe përshtatjes së saj sipas tekeve të dy aktorëve kryesor ; z. Tërnavës dhe të z. Resul Rexhepit, ndryshe ky i fundit i njohur edhe me lidhjet e tij të ngushta me Slobodan Bogujevskin nga Shkupi, janë raste të pa ndodhura më herët në institucionin tonë, por edhe dëshmi e ikjes nga transparenca, nga e drejta, sinqeriteti, nga kriteret morale e njerëzore dhe bunkerizimi e ruajtja e beneficioneve të klanit të ngushtë me çdo kusht.

“Pas leximit dhe analizës që kemi bërë ndryshimeve të disa neve të kushtetutës-statutit të BIK-së, ne nuk kemi vërejtur tjetër, përveç privilegjeve që stafi i ngushtë i punonjësve teknik të kryesisë së BIK-së i ka dhënë vetes, ndërsa nuk kemi gjetur asnjë ndryshim të rëndësishëm në dobi të interesit të përgjithshëm të punonjësve të BIK-së, të vendit dhe të fesë, thuhet më tej në komunikatë.

Sindikata ka bërë thirrje që të ndalen veprimet brenda BIK dhe të vendoset ligjshmëria.

“Apelojmë tek të gjithë punonjësve të BIK-së, që të mos bien në grackën e këtyre parregullsive të këtij stafi të ngushtë aktual të kryesisë së BIK-së, si dhe të mos vazhdojnë të nëpërkëmbin edhe më tutje institucionin tonë shpirtëror, vetëm për t`i plotësuar apetitet e këtij grupi të ngushtë të njerëzve jo vullnet mire”. /Express/