Lajme Shqip Thursday, 05 September 2013 12:33

Prishtinë- Rrjeti transnacional i dijetarëve, i quajtur Qendra e Pluralizmit Islam (CIP), me seli në Washington, pohon se ka zbuluar që myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka vjedhur pronën intelektuale të tjetërkujt.

Në web-faqen e CIP, pjesë e cilës janë shumë ligjërues, shkrimtarë, gazetarë, dijetarë sofistë, etj., thuhet se, punimi i magjistraturës i kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) “ka disa pasuese plotësisht identike me disertacionin e doktoraturës së Abdullahu’t, por pa e cituar” punën e këtij të fundit, shkruan sot ‘Koha Ditore’.

“Tërnava përfshinë materiale si të ishte autor i tyre, bashkë me fusnotat të cilat iu referohen autorëve të hershëm, edhe pse ato janë përmendur edhe nga Abdullah”, thuhet në kumtesën e CIP.

“Duke u bazuar në një analizë të plotë dhe në një gjykim të paanshëm, Qenda e Pluralizmit Islam deklaron që këto zbulime tregojnë se Naim Tërnava definitivisht ka bërë një shkelje serioze të plagjiaturës akademike”, thuhet tutje në njoftimin e CIP.

Ndryshe, sipas CIP, i pari aktual i BIK, Naim Tërnava, tezën e tij të magjistraturës e ka kopjuar nga disertacioni i doktoraturës i predikuesit islam, Zia Abdullah, me titull “Efekti i Akides Myslimane në Udhëzimet sesi Duhet Sjellë”, dhe është miratuar më 1997-1998, nga Universiteti i Zaytuna’s, në Tunis.

Njoftimi i CIP për kopjimin e një pjese të mirë të tezës së magjistraturës nga ana e Tërnavës publikohet në kohën kur këtij të fundit po i skadon mandati i tij i dytë në krye të BIK-ut, dhe pasi që myftiu aktual i Kosovës ka shfaqur apetite që rikandidohet për këtë post. Madje, për këtë qëllim supozohet se muajin e kaluar është ndryshuar edhe Kushtetuta e BIK-ut dhe është zëvendësuar kryetari i Kuvendit të këtij institucioni fetar, Xhabir Hamiti. Paraprakisht Hamiti kishte bërë publik synimin e tij për të kandiduar për myfti të ri të Kosovës. /koha/