Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 19:07

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në përgjigje të shkresës së Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, sqaron përmes një shkrese zyrtare drejtuar Presidencës, qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket emërimit të Komandantit të Forcës Detare.Sipas shkresës, së publikuar zyrtarisht në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se “urdhri nr. 94, datë 23.01.2012 i Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e Komandantit të Forcave Detare, është revokuar”.  

“Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare. Për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve tona”, thuhet në sqarimin e ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1832 më 22.02.2005, propozoi emërimin e Komandantit të Forcës Detare, Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni. Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, me dekretin nr. 4494 më 28.02.2005, emëroi Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni, Komandant të Forcës Detare. 

Në vijim, Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Nga ana Juaj nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare. Aktualisht, mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës, i cili po shqyrton oficerët për grada madhore.

Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do t’iu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën “Kundëradmiral” dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.