Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 20:33

Stamboll- Gjatë kthimit nga vizita në SHBA, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, kryeministri Thaçi e njohu Baroneshën Ashton lidhur me gjendjen në veri të vendit dhe qasjen tërësisht anti-evropiane të Serbisë karshi Kosovës. Po ashtu, kryeministri Thaçi e informoi Baroneshën Ashton lidhur me implementimin e pjesshëm të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Qasja dyftyrëshe e Serbisë nuk duhet të tolerohet. Nuk mund të ketë në njërën anë një Serbi evropiane karshi Brukselit, dhe një Serbi mesjetare karshi Kosovës. Vrasja e qytetarit të Kosovës në shtëpi të vet, arrestimi i policëve, arrestimet pa asnjë bazë ligjore të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimi i ekzistencës së strukturave paralele e ka tensionuar tej mase situatën”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi në takimin me baroneshën Ashton u shpreh edhe lidhur me ngecjen e Serbisë në implementimin e marrëveshjeve të arritura. “Kredibiliteti i dialogut teknik nuk varet nga numri i marrëveshjeve të arritura, por nga implementimi i tyre. Fatkeqësisht, Serbia po zvarrit këtë proces”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi dhe Baronesha Ashton biseduan në detaje edhe për axhendën evropiane për Kosovën, për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin e Kosovës në EBRD, studimin e fizibilitetit dhe marrëveshjen tregtare. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Ashton, e siguroi Kryeministrin Thaçi që do ta mbështesë Kosovën në rrugën e reformave drejt integrimit të plotë në Bashkim Evropian. (LajmeShqip.com)