Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:46

Tiranë – Dyndje të papunësh në selinë e Partisë Socialiste. Që prej fitores së zgjedhjeve nga kjo parti, por më shumë pas njoftimit të kryetarit Edi Rama për të mbledhur CV-të, shumë njerëz shkojnë dhe kërkojnë të takojnë kryetarin. Dje, ishte një nga ditët e zakonta të punës në selinë e PS-së, por pak të pazakontë nga ditët kur ajo ishte në opozitë, e bënin lëvizjet e shumta të njerëzve. Njerëz që ndoshta hynin edhe për herë të parë në atë godinë kërkonin takim me kryetarin, pikërisht atë, kryeministrin e ri të vendit. “Është në mbledhjen e grupit. Është shumë i zënë”, ishte përgjigja që merrnin të gjithë, që kërkonin të linin takim, me kryetarin Rama. E ai ndodhej vetëm një kat më lart. Madje, madje po ata njerëz kishin mundësinë ta shihnin dhe ta dëgjonin live në një televizor të vogël, që ndodhej aty në zyrën e vockël, të recepsionit të PS-së. Televizioni ishte sintonizuar pikërisht në “News24” dhe gjithçka nga mbledhja e grupit ndiqej drejtpërdrejt edhe nga punonjësit e PS-së, por edhe që prisnin ndonjë takim të mundshëm me deputetët e sapozgjedhur, raporton BW.

“Mirë po pres”, ishte përgjigja nga ana tjetër e sportelit, e vajzës, gruas apo burrit që kishte ardhur për të kërkuar punë dhe për të depozituar CV-në. “Për këtë njoftimin kam ardhur. Ku mund ta dorëzoj CV-në”, pyet një vajzë, të cilës Nora, recepsionistja e dezhurnit të PS-së i jep përgjigje shumë të saktë. “E ke në “Facebook”, aty direkt mund të çosh CV-në”. “Jam e papunë. Vetë Edi tha që kush është hequr nga puna këto kohë të vijë tek unë se do të hyjë në punë. Dua ta takoj”, shprehet një tjetër grua, e irrituar jo pak. Por, edhe pse vendosi të priste ashtu si disa të tjerë, u largua pas disa minutash, kur e pa se mbledhja po zgjaste. “Sa shumë veta kanë ardhur, ….pa fund”, thotë Nora. Të gjithë kërkonin punë, por dyndja ka filluar dje, pasi kanë lexuar edhe shkrimin në formë njoftimi të kryeministrit të ri, në rrjetin social “Facebook”, i cili tha se në shtator të gjithë që do të dërgojnë CV-të do të vlerësohen për tu bërë pjesë e administratës së re.