Lajme Shqip Sunday, 20 November 2011 14:00

Pavarësisht se ende nuk ka një zgjidhje për pikat kufitare në veri të Kosovës, nesër në Bruksel pritet të rinisin bisedimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë.

Temat e dialogut që pritet të diskutohet nesër në Bruksel do të jetë njohja e diplomave të fakultetit dhe paraqitja e Prishtinës zyrtare në tubimet dhe mbledhjet rajonale, shkruan sot gazeta serbe Blic.

Sipas gazetës, shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviç, ka deklaruar më herët se pala serbe do të jetë e gatshme të bisedojë për kalimet kufitare, por çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 1244 dhe me 6 pikët e sekretarit të përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon.

“Prishtina insiston që ky të jetë kufi shtetëror, të vendosë flamurin, që të mos lejojë të lëvizin automjetet me targa serbe, dhe këto për ne janë të papranueshme”, ka thënë Stefanoviç, duke komentuar deklaratën e Hashim Thaçit se administrimi i integruar i kufijve do të thotë se Beogradi njeh kufijtë dhe institucionet e Kosovës.

Stefanoviç ka thënë se Beogradi do të insistojë që pikat e kalimit kufitar t`i shohë si linja administrative, të cilat nuk mund të kenë elemente shtetërore.