Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 16:11

Tiranë – Sheshi “Skënderbej”, me një sipërfaqe prej ofro 40 mijë m², i cili ka marrë tashmë formën e një qendre funksionale për qytetarët, do të çelet ditën e hënë, konfirmoi Bashkia e Tiranës.

Ashtu siç u premtua nga Kryebashkiaku Lulzim Basha, punimet në qëndrën e Tiranës u realizuan në kohë, duke bërë të mundur që sheshi “Skendërbej” të jetë i kalueshëm të hënën e javës së ardhshme.

Në funksion të ndërhyrjes emergjente që ndërmori Bashkia për lehtësimin e trafikut në Tiranë, Këshilli Bashkiak miratoi dje me 29 vota pro dhe 21 kundër projektin për rehabilitimin e sheshit në qendër të Tiranës, i cili synon ta kthejë atë në një shesh për këmbësorët, por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar në qendër të Tiranës.

Burime nga bashkia bëjnë të ditur se nga këto punime u përfitua një aks i qarkullimit të makinave përreth sheshit “Skënderbej”, si zgjidhje emergjente për situatën e rënduar të trafikut në Tiranë. Ndërkohë, rishikimi i planit urbanistik do t’i japë zgjidhjen përfundimtare planifikimit afatgjatë të sistemimit të sheshit.

Tirana përballet me një situatë kaotike përsa i takon trafikut rrugor, të cilin kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, e ka vendosur si një prej prioriteteve. Por, zgjidhja e tij kërkon edhe projekte të tjera paralele, siç është ndërtimi i Unazës së Madhe, që do të shkurtojë ndjeshëm kohën e transportit dhe do të ndihmojë zhvillimin e lagjeve të Tiranës, duke i lidhur ato me një sistem modern transporti.

Edhe Plani i ri Urbanistik, që do të jetë gati brenda 10 muajve, konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të qytetit.