Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 13:01

Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, nuk po i “dhez” përpjekja politike për t’u dukur i moderuar para ndërkombëtarëve dhe i ndjeshëm ndaj viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi.

Iniciativa e tij për përcaktimin e një dite të përbashkët përkujtimore nuk po gjen përkrahje nga liderët e rajonit.

Ish-pinjollit të Sheshelit, i cili dikur bënte edhe deklarata shoviniste dhe thirrje për vrasje masive të boshnjakëve në vitet e 90-ta, pas refuzimit të Kosovës dhe Kroacisë, i erdhi edhe refuzimi i radhës nga Bosnje e Hercegovina, transmeton Telegrafi.

Anëtari i Kryesisë së Bosnje e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, duke reaguar në iniciativën e Vuçiqit, ka thënë se nisma e tij mund të marrë hov vetëm nëse nënkupton ballafaqim esencial me të vërtetën për të gjitha krimet, njohjen e aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe fakteve historike të verifikuara me ato aktgjykime, si dhe dënimin e qartë të aktiviteteve që çojnë drejt konflikteve të reja në këto hapësira, siç janë iniciativat për mbajtjen e referendumit për shkëputje që vijnë nga udhëheqësia e entitetit Republika Serbe.

Izetbegoviq ka thënë se pa plotësimin e këtyre kushteve nisma e Vuçiqit mund të çojë drejt relativizmit të karakterit të luftës dhe përmasave të krimeve të kryera mbi boshnjakët, mjegullimit të së vërtetës për ato krime dhe amnistimin nga përgjegjësia e atyre të cilët i mohojnë ato krime dhe gjenocidin. “Nisma e tillë nuk do t’i kontribuonte procesit të pajtimit, por esencialisht do ta rrezikonte dhe degradonte”, konsideron anëtari boshnjak i Kryesisë së BeH-së, Bakir Izetbegoviq.

Një refuzim i tillë Serbisë, ditë më parë i ishte bërë edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte thënë se pretendimi i lidershipit serb për relativizimin dhe rishkrimin e historisë dhe barazimin e atyre që nxitën, organizuan dhe kryen gjenocid, me ata që u mbrojtën në vendin e vet, nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit.

“Pajtimi duhet t’i shërbej së ardhmes dhe jo politikës ditore e spektakleve mediale”, kishte thënë Thaçi.

Pas Kosovës, idenë e Vuqiçit e kishte hedhur poshtë edhe Kroacia. “Me gjithë respektin dhe ndjesën ne nuk do të përcaktojmë ditë pushimi dhe vajtimi për të tjerët dhe askush nuk do të përcaktojë për ne”, kishte thënë kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç .

I vetmi lider në rajon që e ka pranuar iniciativën është Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, që dominohet nga serbët e Bosnjës, i cili tha se ishte pjesë e përpjekjeve të Serbisë për forcimin e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.