Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 11:50

Shkup -Kreu i Gostivarit Rufi Osmani ka paralajmëruar për të dielën (27 mars), Konventën promovuese të partisë së tij Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

Në konferencën e saj të parë RDK-ja, përveç zgjedhjes së kryetarit të partisë, do të shpalosë edhe programin me të cilin kjo parti do të merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Avancimi i statusit të shqiptarëve në drejtim të popullit shtetformues në Maqedoni, parimi i konsensusit politik dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet nacionale, mëtohet të jenë ndër shtyllat kryesore të programit politik të partisë së Osmanit.
“Platforma jonë politike do të dallojë përmbajtësisht nga platformat tjera. Në platformën tonë do të angazhohemi që shqiptarët të definohen si popull i dytë shtetformues në Maqedoni, që gjuha shqipe të definohet si gjuhë zyrtare e dyta në nivel nacional, që decentralizimi i pushtetit të jetë shumë më i thellë me atë që është aktualisht dhe si mostër do të rekomandojmë decentralizimin e vitin 1974, pa komponentët ideologjike. Do të angazhohemi për një alokim proporcional të buxhetit të shtetit në kuptim territorial, veçmas në investimet kapitale. Angazhimi jonë do të jetë për përfaqësim proporcional të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike”, ka thënë Osmani. Promovimi zyrtar i partisë së re të Rufi Osmanit do të jetë në hotelin “Holiday Inn” në Shkup.