Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 11:30

Tiranë – Të gjithë qytetarët, që duan të denoncojnë rastet e thyerjes së ligjit antiduhan, mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 066 300 9999. Ndërsa ka falenderuar qytetarët të cilët kanë denoncuar rastet deri tani, Task Force siguron se do të ruhet anonimati në çdo rast, si dhe do të reagohet në kohë ndaj informacionit të marrë, sikurse dhe deri tani.

Roland Shuperka, kryetar i Task-Force për zbatimin e ligjit antiduhan dhe mbrojtjen e të miturve nga konsumimi i alkoolit, tha sot se “do të mirëpresim reagimin qytetar direkt për shkeljen e ligjit ndaj  personave që e thyejnë, si dhe ndaj menaxherëve dhe subjekteve”.

Task Force ka vendosur deri tani 122 gjoba, 9 prej të cilave janë paguar vullnetarisht, ndërsa të tjerat do të dërgohen në Gjykatën e Tiranës.

Ligji antiduhan ka hyrë në fuqi në vitin 2007, ndërkohë që deri tani pothuajse nuk është zbatuar, pavarësisht fushatave të ndërmarra herë pas here.

Në vendin tonë, nga një studim i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë rezulton se rreth 3 mijë persona vdesin çdo vit nga sëmundje të lidhura me duhanpirjen, aktive apo pasive. Sipas të dhënave përllogaritet që duhanpirja të arrijë në rreth 40 %, ose 950 mijë duhanpirës. Sipas të dhënave, vihet re një rritje e dukshme e femrave duhanpirëse.