Lajme Shqip Monday, 15 July 2013 14:30

Tiranë – Profesor Fatos Tarifa, në një intervistë për gazetën Dita, thotë se me këto zgjedhje, populli shqiptar tregoi se është i emancipuar politikisht.
Tarifa tha se u largua nga vendi një qeveri që e kish humbur legjitimitetin.
Sipas tij, zgjedhjet treguan se shqiptarët dinë të gjykojnë dhe shpresojnë.
Sa i përket Berishës, Tarifa thotë se ai është një humbës, që i ka sjellë fatkeqësi kombëtare shqiptarëve.
“Berisha nuk është i vetmi që doli i humbur nga këto zgjedhje. Të humbur dolën edhe ata mijëra qytetarë të thjeshtë të këtij vendi që deri dje i kishin besuar Berishës dhe kishin votuar për të. Sepse, jam i bindur, shumë prej tyre u zhgënjyen nga Berisha dhe shumë prej tyre këtë herë votuan kundër tij dhe partisë së tij. Berisha është humbësi më i madh, natyrisht. Ai është përfundimisht humbës. Madje, unë s’mund të them nëse, pas vitit 1992, ai ka qenë ndonjëherë fitues. A e meritonte ai një ndëshkim të tillë? Sigurisht që po. Tërësisht. Ndëshkimi i popullit është gjithnjë i merituar. Unë nuk jam i vetmi që mendoj se, madje, Berisha nuk meritonte të vinte në krye të punëve të shtetit pas gjëmës që ai u bëri shqiptarëve në mesin e viteve 1990. Në dallim nga ata që janë përpjekur e përpiqen ta bëjnë Berishën një hero të kombit shqiptar, “Skënderbeun e dytë” (ruajna, o Zot!), “shqiptarin e shekullit” ose “themeluesin e Shqipërisë moderne”, unë mendoj se kjo figurë politike dhe bëmat e tij kanë qenë një fatkeqësi kombëtare për shqiptarët,” shprehet Tarifa.