Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 11:48

TIRANË- Në Tiranë është zhvilluar sot konferenca për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri, përfaqësuesi i TAP-it theksoi se ky projekt përfaqëson një mundësi të madhe për Shqipërinë, për investimet e huaja, rritjen e punësimit apo zhvillimin rural të vendit. Përfaqësuesi i TAP bëri të ditur se disa nga seksionet e gazsjellësit do të ndërtohen në zona të largëta të vendit dhe si rezultat do të ndërtohen edhe rrugët që të çojnë në këto zona.

Sipas tij, “gazsjellësi TAP do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Europë, duke kaluar në Shqipëri. 200 km do të jetë në Shqipëri dhe 60 km në seksionin shqiptar të detit Adriatik. Kjo është vetëm një pjesë e një rruge të gjatë dhe të komplikuar. Ky projekt kap vlerën e 45 miliardë dollarëve amerikanë dhe përfshin disa shtete dhe 10 kompani”.

SEQUI
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi i bëri apel përfaqësuesve të TAP, pjesmarrës në konferencë, që të shfrytëzojnë tregun shqiptar që ka nevojë për gaz, por njëkohësisht të investojnë.

“Me gazsjellësin e Kaukazit verior që do sjellë gaz në Shqipëri ne presim që tregtarët komercialë të sjellin atë që kanë premtuar. Gjithë Korridori të jetë fleksibël dhe të rrisë tregun në gjithë vendin ku kalon. Korridori nuk duhet të ndalojë, por duhet të vijojë me rritjen e kërkesës. Është kredit për Shqipërinë që ky investim të vijë në këtë vend. Shqipëria duhet të jetë më shumë se një vend pritës, pjesmarrës në zhvillimin e Europës. TAP duhet të integrohet dhe të bëjë investime në Shqipëri. Ka mundësi të ketë përfitime të pritshme në Shqipëri, ku dhe Shqipëria duhet të përfitojë sa më shumë nga ky investim”. 
Ambasadori Sequi tha se KE do të bëjë çfarë është e mundur që kjo të realizohet në Shqipëri. 

BERISHA
Kryeministri Berisha theksoi se gazsjellësi TAP është projekti më i madh dhe më me perspektivë në fushën e energjisë në fillimet e këtij shekulli. Duke nënvizuar se TAP është një projekt jetik i një rëndësie të madhe strategjike, kryeministri siguroi se qeveria e tij “do të përmbushë çdo detyrim që lind ndaj konsorciumit dhe palëve të tjera për një partneritet luajal dhe serioz në këtë projekt të madh”.

“Ne po bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh ndaj konsorciumit dhe palëve të tjera, për një partneritet luajal dhe serioz. Në këtë projekt të madh, Shqipëria u është mirënjohës partnerëve të saj në këtë projekt, për gatishmërinë që kanë shprehur për të ndihmuar vendin tonë në masterplanin e gazifikimit, jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë në maksimum, me një ndikim në nivelin e jetesës së tyre, nga përdorimi në shkallë të gjerë i gazit në të katër skajet e vendit”, deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas Kryeministrit Berisha, “Shqipëria është në rrugën e transformimit të një superfuqie energjetike rajonale. Ajo ka rezerva ujore të mëdha dhe përfaqëson një lloj Norvegjie të vogël në gadishullin e Ballkanit. Shqipëria sipas të dhënave më të fundit ka depozita enorme hidrokarburesh. Kompanitë më serioze janë duke eksploruar të bindur për sukses të pashmangshëm në zona të ndryshme të vendit.

Shqipëria, vijoi Kryeministri, “ka pozicionin gjeografik më të përshtatshëm, përballë Italisë, një treg gjigand energjetik me një ngushticë që të kujton Gjiibraltarin. Të gjitha këto e bëjnë për ne projektin TAP, një projekt jetik të një rëndësie të madhe”.

HAXHINASTO
Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto theksoi se Shqipëria ka një kërkesë në rritje nga tregu i energjisë, ashtu sikundër vendet e rajonit. 

“Shqipëria do vazhdojë të ketë një kërkesë për rritje nga tregu rajonal i energjisë. Nga ana tjetër dhe shumë vende të tjera të rajonit do vazhdojnë të plotësojnë balancën për energji elektrike. Vihet re një nevojë për energji nga rajoni”. 

Sipas Haxhinastos, Shqipëria ofron një treg të mundshëm për gazin natyror, por me perspektivë të madhe në rritje.
“Kapacitetet nëntokësore për depozitimin e gazit shkojnë në miliarda kub”. 

Në vijim të fjalës së tij kreu i METE-s, Haxhinasto vuri në dukje se Shqipëria tashmë është e përfshirë në projektet e gazifikimit. “Është e qartë që vendi ynë është përfshirë në projektet e gazit dhe ka marrë vlerësime konkrete nga strukturat e traktatit të komunitetit të energjisë dhe Bashkimit Europian, lidhur me projekte të tilla si ai i Unazës së gazit të energjisë apo projekte të tjera në zhvillim”, tha Haxhinasto. 

Kreu i METE-s theksoi se qeveria shqiptare është e fokusuar dhe në mbështetje të një projekti tjetër madhor, TAP. Sipas tj, gazifikimi i Shqipërisë është objektivi i vetëm i këtij projekti që ne mbështesim. “Jemi duke negociuar marrëveshjen e vendit pritës, negociime që janë në fazën përfundimtare, por duke patur si qëndrim dhe objektiv përfundimtar çështjen e furnizimit me gaz të vendit. Përmes këtij projekti ne kemi kërkuar dhe vijojmë të këkojmë marrëveshje bashkëpunimi për furnizimin me gaz me secilin nga aksionerët e këtij konsorciumi, por gjithashtu edhe me ata që janë aksionerë të zonës gazmbajtëse të Shah Denize-it”, tha ministri.

Haxhinasto më tej u shpreh se hapat e tjerë në drejtim të zbatimit dhe ndërtimit të një tregu gazi do të kërkojnë përgatitjen e një masterplani për gazin në Shqipëri. “Si hap të parë në këtë drejtim, kemi kërkuar të realizojmë një studim të plotë të tregut vendas, duke vlerësuar kështu dinamikën e kërkesës të tregut tonë dhe atij rajonal, për t’u angazhuar më tej për realizimin e infrastrukturës, duke identifikuar kështu dhe mënyrat e financimit të tij”.
Nëpërmjet këtij studimi, bëri të ditur ministri, mendojmë se do të tërheqim edhe investitorë të huaj për të investuar në Shqipëri.(LajmeShqip.com)