Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 08:04

Tiranë -Reagimi i AK-së ka ardhur pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, ku sekretari organizativ i AK-së, Redi Ramaj, i ka cilësuar të pabaza deklaratat e ministrit Panariti se po ri-negociohet marrëveshja e demilitimit të kufijve detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 AK i rikujton ministrit Panariti që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i shenjtë për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe ligjërisht është i pa ankimueshëm dhe ndryshueshëm mbi bazat e interesit të Athinës zyrtare. Çdo rinegocim i marrëveshjes detare me Greqinë është akti tradhtie mbi interesat e kombit shqiptarë dhe Republikës së Shqipërisë.

 “Bëri mirë ministri i Jashtëm që na informoi pas muajsh heshtjeje që grupet e punës po punojnë për riformulimin e marrëveshjes e cila mesa dukët deri në shtator kur Panariti do të takojë Avramopullos do të jetë gati, e hartuar dhe përpiluar sipas interesave të Athinës zyrtare. Dënojmë me forcë çdo mundësi për plotësimin e tekave dhe haraçit të Athinës kokëfortë e cila është mësuar ti vërë kushte fqinjëve të saj duke marrë peng projekte evropiane dhe rajonale”, shprehet Ramaj, ndërsa shton se i rikujton ministrit të Jashtëm, Panariti që të mos tentojë, as më mbështetjen e Sali Berishës dhe Antonio Samaras që të prekë dhe ndryshojë kufijtë e Republikës së Shqipërisë pasi do të përballen me protesta masive të cilat ne epiqendër të tyre do të kenë ndëshkimin e tradhtarëve të kombit shqiptarë” thuhet në deklaratë. 

 AK thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është më shumë se i qartë kur cilëson antikushtetuese marrëveshjen e kufijve detare me Greqinë dhe nuk le hapësira për të punuar mbi të. Në këtë kontekst AK shprehet se asnjë projekt gazsjellësi apo naftësjellësi nuk mund të këmbehet me kufijtë e territorit të Republikës së Shqipërisë. (LajmeShqip.com)