Lajme Shqip Friday, 07 December 2012 07:17

Prishtinë (plotesuar)  – Takimi i kryeministrit të Kosovës dhe njëherësh liderit të PDK- së Hashimi Thaçi me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj ka kaluar në një atmosferë bashkëpunimi e mirëkuptimi. Në takimin e mbajtur në selinë e PDK –së e që ka zgjatur 45 minuta, liderët e dy partive të dala nga lufta janë marrë vesh dhe pajtuar për bashkëpunimin në fushat me interes kombëtar e shtetëror. Burime të Kohës thonë se Haradinaj është pajtuar me Thaçin se do t’i ofrojë shërbimet dhe ndihmesën e vet e të partisë së tij në dialogun me Serbinë, në proceset integruese evropiane dhe në reformën zgjedhore.
Në takim nuk është biseduar për koalicionin e mundshëm ndërmjet PDK e AAK e Ramush Haradinaj gazetarëve, pas përfundimit të takimit, u ka thënë se kryeministrit aktual nuk ia ka përmendur ambicien e tij për  t‘u bërë vetë kryeministër i vendit.(K.D/LajmeShqip.com)

*******************************************************

Prishtinë Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të pritet sot nga kryeministri Hashim Thaçi në selinë e Partisë Demokratike (PDK). Njoftimi është dhënë nga Zyra për Informim e PDK-së.

Sipas njoftimit takimi i cili do të mbahet në selinë e PDK-së do të nisë në ora 11.00. Ndryshe kryeministri Hashim Thaçi kishte dalë për ta pritur Haradinajn në aeroport një javë më parë pas lirimit të këtij të fundit nga të gjitha akuzat nga Gjykata e Hagës.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka nisur tash e disa ditë një seri takimesh me personalitetet politike në vend, kurse është shprehur pozitivisht rreth idesë për një koalicion me partinë e Hashim Thaçit, duke mos hezituar të deklarojë se pretendon edhe postin e shefit të ekzekutivit të vendit. Kështu edhe takimi i ditës së sotme mund të jetë vendimtar rreth koalicionit të ardhëm qeveritar, transmeton gazetaexpress.

Po sot gjatë ditës Haradinaj do të takohet edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa në orën 15 në zyrat e partisë së dytë në Kosovë.(LajmeShqop.com)