Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:33

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha do të hyjë në bisedime me Ramën me një paketë kërkesash, por edhe Kryeministri Rama nuk do të kufizohet vetëm me konsensusin për reformën territoriale. Sipas burimeve nga PS-ja, projektligjet që mazhoranca ka në dorë për miratim, do t’i nënshtrohen testit të konsensusit mes dy partive. Mësohet se, Basha ka kërkuar që takimi të ketë format në kuadrin e marrjes së statusit në mënyrë që të fitojë, jo vetëm garanci më të mëdha për realizmin e marrëveshjes që do të arrihet, por edhe të japë mesazhin te mbështetësit e vet se PD-ja është, siç shprehet ai, në “misionin e saj hyjnor”, për integrimin e vendit në BE. 

Formati i integrimit, që kërkon PDja, nënkupton që Rama dhe Basha do t’i vënë vulën e konsensusit përmbajtjes së rezolutës së përbashkët që do të arrihet mes dy palëve në kuadër të Komitetit të Parlamentit Evropian të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Përgatitja e dokumentit të takimit po bëhet nga deputeti Taulant Balla i PS-së dhe Aldo Bumçi nga PD-ja. Përfaqësuesi i PD-së e ka ngritur stekën tek 8 kërkesat të cilat i hodhi edhe në tavolinën e Strasburgut. Para dhjetë ditësh PD-ja refuzoi të miratonte me konsensus rezolutën e Komitetit të Parlamentit Europian për Stabilizim Asociim BE-Shqipëri, të përgatitur nga bashkëkryetari Eduard Kukan, pikërisht sepse mazhoranca nuk miratoi pikat e  propozuara nga opozita. 

Negociatat 

Qeveria bashkë me konsensusin për reformën territoriale, ka shpallur tashmë tërheqjen nga ligji për Autoritetin e Medieve Audovizuale dhe ka shtyrë projektligjin për ndryshimet e statusit të nëpunësit. Deputetët e PD-së në Strasburg shprehën kundërshtim dhe bllokuan futjen e çështjes së reformës territoriale në axhendën e diskutimeve. Por, kjo reformë ka qenë objekt i dy letrave që Rama dhe Basha shkëmbyen me njëri tjetrin. Ndërkaq, burime pranë PS-së pohojnë se, gjatë ditës së djeshme ka pasur komunikime mes negociatorëve Balla dhe Bumçi. Burime pranë PS-së, pohojnë refuzimin e PS-së për pikën 1 të propozuar nga PD-ja në Strasburg, ku pretendohet për blerje votash në zgjedhjet e Korçës. PS-ja nuk ka pranuar të përfshihet në rezolutë kjo pikë me arsyetimin se rezultati nuk është prekur dhe vlerësimin e ka bërë tashmë KQZ-ja. 

Diskutimet më të mprehta janë për pikat 2 dhe 3, ku PD-ja kërkon, sipas saj, ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura, por edhe rikthimin në krye të tyre të drejtuesve të shkarkuar. PS-ja pranon në parim pikën 2 me një formulim të ri, pa përmendur emra konkretë. Sidomos për pikën 3, sipas burimeve, PS-ja është shprehur kategorikisht kundër. PS-ja nuk do të pranojë rikthimin e Zana Xhukës në krye të ILDKP-së. Kërkesa e opozitës për  plotësimin e vendeve në KQZ ka gjetur aprovim dhe ka gjasa të mos ndryshojë si formulim. Opozita ka gjetur konsensus te opozita edhe për miratimin e dekreteve për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë me një formulim tjetër. Mes negociatorëve nuk është gjetur konsensus për kërkesën e hetimit të “kopjimit të mundshëm” të të dhënave digjitale te Tatimet. Ndërkaq, PS-ja nuk e pranon pikën e propozuar për Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, sepse e quan të tejkaluar këtë çështje pasi për këtë ka vendosur Gjykata Kushtetuese dhe qeveria do të zbatojë vendimin e Kushtetueses që i heq disa kompetenca këtij inspektorati. 

Strasburgu

 Pas arritjes së marrëveshjes nga palët e deputetëve në Tiranë, bashkëkryetari Taulant Balla do të informojë për këtë eurodeputetin Kukan që kryeson Komitetin BE-Shqipëri. Teksti më pas iu dërgohet anëtarëve të tjerë të delegacionit të Parlamentit Europian dhe me miratimin e tyre, dokumenti i bëhet i ditur parlamentit që ta përfshijë në axhendë.

 Miratimi nga parlamenti Evropian, sipas shpjegimit të zotit Kukan, mund të bëhet me procedurën administrative të shpërndarjes së tekstit të shkruar. Miratimi i rezolutës me konsensusin e të dy partive do të jetë një plus përpara mbledhjes së Komisionit Evropian në qershor 2014, kur do të diskutohet Shqipëria për statusin e kandidatit për në BE.   

Propozimet e pd-së që marrin “Po” ose “Jo”  

Opozita shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë lidhur me këtë çështje… (Nuk pranohet nga PS) 2. I referohemi deklaratës në tetor 2013 për të ruajtur pavarësinë e institucioneve kryesore, të tilla si INSTAT, AMA-s, ILDKP-së etj; Dënon shkarkimin e paligjshëm të znj. Ines Nurja, drejtore e INSTAT-it, si dhe vë në dukje vendimin e gjykatës që anulon shkarkimin e saj dhe i kërkon qeverisë ta rivendosë atë në zyrë; (Nuk pranohet paragrafi i dytë për Ines Nurjen) 3. Opozita shpreh keqardhje për shkarkimin e paligjshëm të kreut të ILDKP-së. Bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për përmirësimin e situatës në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. 

(Nuk pranohet nga PS) 4. Kërkojmë që të tërhiqet amendamenti i mbështetur nga maxhoranca për të shkarkuar këshillin e AMA-s dhe rithemelimin e saj, si dhe i bën thirrje maxhorancës të plotësojë vendet   lira në këshillin e AMA-s pa u vonuar. (Pranohet pjesërisht) 5. Opozita i bën thirrje mazhorancës për të plotësuar vendet e lira në KQZ në përputhje me ligjin, për të ruajtur dhe nxitur integritetin e saj për të funksionuar normalisht. (Pranohet nga PS) 6. Thirrje parlamentit për të zhbllokuar emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. (PS kërkon riformulim) 7. Opozita ndihet e alarmuar nga përdorimi i INUK-ut për të shkatërruar pronat e ligjshme të qytetarëve dhe të BEsë në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatës, dhe i bën thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë praktika të tilla dhe të sigurojë dëmshpërblimin e duhur për palët e dëmtuara. (Nuk pranohet nga PS) 8. Opozita shpreh keqardhje për incidentin në lidhje me shkeljen e paligjshme dhe kopjimin e dyshuar të të dhënave digjitale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe bën thirrje për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje.