Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 13:30

Prishtinë – Sikurse edhe herën e kaluar, kryeministri Thaçi e ka informuar presidenten Atifete Jahjaga për takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Thaçi theksoi se që në fillim të takimit ka ngritur çështjen e personave të pagjetur, duke shprehur përkushtimin se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është një nga prioritetet e secilës pjesë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu Thaçi ka thënë se ka  kërkuar tërheqjen dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë, që veprojnë në një pjesë të territorit të shtetit të Kosovës. Tutje theksohet se kryeministri Thaçi  tha se është biseduar dhe se është rënë dakord për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe së shpejti do të fillojë implementimi i kësaj marrëveshjeje në katër vendkalime kufitare.

Presidentja Jahjaga edhe kësaj here i ka dhënë mbështetje të plotë procesit të dialogut ndërmjet dy vendeve, duke theksuar që kjo do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe do të përshpejtojë rrugën e integrimeve evropiane.

Në njoftim thuhet se Presidentja dhe Kryeministri biseduan dhe bashkërenduan veprimet për festimin e njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë, për vizitat e zyrtarëve të shtetit të Kosovës jashtë vendit dhe për pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare.

Prishtinë, 12 nëntor – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që gjatë kësaj jave të takojë krerët institucionalë dhe spektrin politik opozitar, për t’i informuar për  takimin e dytë që ka pasur me homologun tij serb, Ivica Daçiq.

Thaçi pritet që këtë ta bëjë nga dita e sotme në takime veç e veç ta njoftojë presidenten Atifete Jahjaga, kryeopozitarin Isa Mustafa, nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala, dhe më pas edhe Kuvendin e Kosovës, bën të ditur KTV-ja.

Kryeministri për gazetën kroate “Jutarnji list”, ka thënë se serbët janë duke e rrezikuar të ardhmen e tyre evropiane, përderisa e dinë se çështja e kufijve në Ballkan është e zgjidhur.

Në pyetjen se a do të bëhet fjalë në ato takime për “ndarjen” e Kosovës, për çfarë spekulohet në Serbi, apo do të ketë diskutim për autonominë politike-territoriale të serbëve, për çfarë di të flasë edhe kryeministri serb, Daçiq, Thaçi ka thënë se është lodhur duke folur për propozimet e tilla të Serbisë.(LajmeShqip.com)