Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 18:22

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar ambasadorët e shteteve të Kuintit, me qëllim të informimit lidhur me takimin dytë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, që u zhvillua ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.

Kryeministri Thaçi iu shprehu mirënjohje shteteve të Kuintit për mbështetjen e dhënë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është thellësisht e përkushtuar për implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit.

Një nga parakushtet për integrim, ka potencuar kryeministri Thaçi, është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësia e mirë, dhe në këtë kuadër procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë dhe është në të mirën e të dyja shteteve dhe rajonit në tërësi, ka thënë z. Thaçi.

Duke folur rreth takimit të dytë të mbajtur në Bruksel me Kryeministrin e Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, Kryeministri Thaçi ka informuar ambasadorët e shteteve të Kuintit lidhur me temat që janë diskutuar në takim.

Si çështjen më prioritare të diskutimit, kryeministri Thaçi ka prezantuar çështjen e zbardhjes së fatit të të zhdukurve, që sipas z.Thaçi është një çështje shumë e dhimbshme për të gjithë në Kosovë. Poashtu, në mënyrë detaje kryeministri Thaçi ka prezantuar edhe temat tjera të takimit, që kishin të bënin me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, hapjen e Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, masat shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë së kishave dhe manastireve në Kosovë, zhbërjen e strukturave paralele ilegale serbe në Kosovë, si dhe tema e fundit e diskutuar, që ishte bashkëpunimi ndërshtetëror në infrastrukturën rrugore për vazhdimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të Prishtinës, për në kufirin me Serbinë.

Kryeministri Thaçi ka ritheksuar se në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të sigurojë transparencë maksimale dhe se platformë kryesore e këtij procesi mbetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ambasadorët e shteteve të Kuintit kanë shprehur mbështetje të plotë për përkushtimet e Kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se kjo është rruga e duhur për të avancuar proceset integruese.(LajmeShqip.com)