Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 13:58

Tiranë – Takimi i zhvilluar sot midis perfaqësuesve te minatorëve të Bulqizës dhe firmës “ACR” përfundoi pa marrëveshje.

Pas më shumë se dy orësh bisedime, përfaqësuesit e minatorëve nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët me përfaqësuesit e “ACR” për shkak se marrëveshja e propozuar nga Giga Bedinishvilli, administrator i firmës “ACR”, u konsiderua nga minatorët si joinstitucionale.

Sipas kreut të sindikatave te minatoreve, Kolë Nikolla, “administratori i firmës “ACR” jo vetëm që na kërkoi ta zhvillonim takimin në një lokal, por në mënyrë të papërgjegjshme ai nuk pranoi asnjë nga kërkesat e minatorëve”.

Ai tha se greva e urisë do të përshkallëzohet më tej deri në plotësimin e kërkesave të minatorëve, duke ritheksuar vullnetin e grevistëve për ta vazhduar grevën.

Ndërsa administratori i firmës “ACR”, Giga Bedinishvilli, e konsideroi takimin me minatorët, apo siç u shpreh ai, me punëtorët e tij, tepër pozitiv dhe konstruktiv.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e 13 minatorëve të Bulqizës qe janë prej 19 ditësh në grevë urie në nivelin e 14-të të minierës paraqitet mjaft e rëndë.