Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 18:00

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë presioni nga bashkësia ndërkombëtare për vizitën e shefit të ekipit negociator serb Borko Stefanoviq, ndërsa shtoi se do të vizitojë Serbinë atëherë kur ky vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Tahiri ka thënë se vizita e Stefanoviqit është sinjal se Serbia po e kupton realitetin e krijuar në Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Për më tepër, ajo shton se protestat ishin edhe një mesazh për Serbinë, por edhe për botën që kur bëhet një gjenocid, ai nuk harrohet kurrë.
Tahiri ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë presioni nga bashkësia ndërkombëtare për vizitën e Stefanoviqit në Kosovë.

Ajo edhe njëherë ka bërë të ditur se gjatë takimit të djeshëm me kryesuesin e delegacionit serb për dialog Kosovë-Serbi, i është bërë me dije se Kosova ka një filozofi moderne për shtetin dhe institucionet e saja janë të angazhuara për një Kosovë euro-atlantike.

Ndër të tjera, Tahiri tha se gjatë takimit i ka bërë me dije Stefanoviqit se Kosova angazhohet për fqinjësi të mirë me shtete fqinjë dhe për një stabilitet rajonal, dhe për këto arsyeje ka pranuar dialogun ndërshtetëror teknik me Serbinë.
Zëvendëskryeministrja konfirmoi se gjatë takimit me Stefanoviqin, në tavolinë ka qenë flamuri i Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tha se do të vizitojë Serbinë atëherë kur ky vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ajo këto komente i bëri pas një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e shoqatave për personat e pagjetur.