Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 20:01

Prishtinë- Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ishte tema e takimit të zhvilluar ditën e martë në Prishtinë, ndërmjet Zv/Kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri dhe ambasadorit shqiptar atje, Islam Lauka.

Gjatë takimit, përveçse u vlerësuan raportet e shkëlqyera Kosovë – Shqipëri, u tha se “të dyja shtetet kanë mundësi shumë të mira të bashkëveprojnë në rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas të njëjtit burim, zv/kryeministrja Tahiri tha se “Kosova është duke punuar maksimalisht në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”.

Sipas Laukës “Qeveria e Shqipërisë e mbështet plotësisht dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe angazhohet që këto marrëveshje të zbatohen në praktikë”, pasi nënvizoi ai, “bashkëpunimi rajonal duhet të kontribuojë në integrimin e Ballkanit në Evropë”.