Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 21:03

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti sot në takim Borko Stefanoviçin, udhëheqës i delegacionit të Serbisë në dialogun teknik me Kosovën.

Sipas komunikatës së dhënë pak më parë nga zyra e shtypit e qeverisë, në këtë takim u bisedua për rrjedhat e dialogut teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast të dy palët vlerësuan rëndësinë e angazhimit konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve praktike në interes të qytetarëve, të bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane.

Zv/kryeministrja Edita Tahiri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka një filozofi moderne për shtetin, angazhohet për një Kosovë euro-atlantike dhe se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është garant i vlerave demokratike, të ekonomisë së tregut dhe mundësive të barabarta për gjithë qytetarët dhe komunitetet.

“Ne angazhohemi për fqinjësi të mirë midis shteteve dhe stabilitetin rajonal dhe në këtë kuadër kemi pranuar dialogun teknik me Serbinë”, theksoi zv/kryeministrja Tahiri.

Stefanoviç, nga ana e tij falënderoi zv/kryeministren e Republikës së Kosovës për këtë takim dhe konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Serbisë për të kontribuar pozitivisht në mbarëvajtjen e dialogut teknik.

Gjatë vizitës në Prishtinë të ndërmjetësit të Bashkimit Evropian për dialogun teknik, Robert Cooper, më 4 maj , u njoftua zyrtarisht se raundi i katërt i dialogut teknik Kosovë-Serbi do zhvillohet më datë 17 dhe 18 të këtij muaji në Bruksel, ku janë zhvilluar edhe tre raundet e deritashme.

Zv/kryeministrja Edita Tahiri është udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në këtë dialog teknik me Serbinë.