Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 12:33

Prishtinë-Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëkohësisht, shefja e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku nesër do të mbahet raundi i tetë i dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve.

“Sikurse në raundin e kaluar edhe kësaj radhe do të vazhdojnë bisedimet lidhur me problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, si dhe do të vazhdojnë diskutimet për mundësinë e arritjes së marrëveshjeve për çështjet e bashkëpunimit rajonal, menaxhimit të integruar të kufijve, telekomunikacionit dhe energjisë”.- thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Kosovës lidhur me bisedimet e nesërme në Bruksel.

Raundi i nesërm vjen në një moment tensioni mes dy vendeve, pas incidentit të rradhës në veri të Kosovës ku mbetën të plagosur 25 ushtarë të KFOR-it.

Gjithashtu ky raund i dialogut teknik ka rëndësi të veçantë  sepse mbahet në vigjilje të marrjes së vendimeve nga Këshilli Evropian, mbi përparimet e vendeve drejt BE-së. (LajmeShqip.com)