Lajme Shqip Sunday, 25 December 2011 21:39

Prishtinë-“Serbia ka ndërhyrë në Kosovë që nga fundi i luftës duke vendosur struktura paralele dhe duke iu dhënë serbëve të veriut iluzionin se mund të jetojnë nën ndikimin serb dhe të injorojnë autoritetet e Kosovës”.

Kështu thotë zv.kryeministrja Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin, në një intervistë për gazetën turke “Zaman”.

Sipas saj Serbia po luan me standarde të dyfishta, nga njëra anë duke tenton ti japë BE-së përshtypjen se është një vend me orientim evropian, ndërsa nga ana tjetër serbëve të veriut u bën thirrje që të mos respektojnë marrëveshjet.

Duke komentuar mospranimin e statusit kandidat për në BE për Serbinë, Tahiri tha se është e qartë se BE-ja nuk do një tjetër Qipro brenda saj.

“BE-ja e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të importojë një tjetër problem si Qiproja”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se rruga e Kosovës dhe e Serbisë për në BE është e gjatë.

E pyetur nëse Kosova do ta vazhdojë dialogun edhe nëse Serbia nuk zbaton  asgjë nga marrëveshjet e arritura, Tahiri është shprehur se Prishtina mbetet e përkushtuar për dialog. Tahiri ka thënë se e çmon rolin e Turqisë në Ballkan, ndërsa ka shtuar se Rusia nuk mund të ketë më asnjë rol në rajon. (LajmeShqip.com)