Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 07:20

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur dje në një takim homologun e saj nga Turqia, Bekir Bozdag. Fillimisht Tahiri falënderoi z. Bozdag për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës që në kohën e ndërhyrjes së NATO-s më pas me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha planet, sidomos në planin diplomatik, ekonomik dhe kulturor.

Ajo më pas foli për përparimet në vend, ku theksoi reformat shumëdimensionale e të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës për fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran dhe në veçanti në fushën e politikës së jashtme, forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, garantimin e të drejtave të pakicave.

Duke folur në rolin e udhëheqëses së dialogut teknik, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se dialogu teknik ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë pati një fillim të mirë ku u arritën tre marrëveshjet e para, por më pas Serbia u tërhoq nga ky dialog duke u treguar jo e gatshme për marrëveshjet tjera, siç ishte edhe ajo për tregtinë e lirë midis dy vendeve. Ajo më pas tha se Qeveria e Kosovës mori vendim për zbatim të plotë të reciprocitetit dhe forcimin e kontrollit shtetëror në kufirin verior të vendit dhe rivendosjen e ligjit dhe rendit në dy pikat doganore me qëllim të zbatimit të plotë të reciprocitetit.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kosova aspiron integrim në Bashkimin Evropian, NATO, OKB dhe mekanizma tjerë Euro-Atlantik dhe për këtë kërkon mbështetjen e Turqisë si një vend me ndikim, i cili mund të kontribuoje në njohjen globale të pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag, fillimisht i shprehu ngushëllime znj. Tahiri për vdekjen në krye të detyrës së policit Enver Zymberi dhe më pas foli për angazhimin e Turqisë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe miqësore me Kosovën. Ai tha se Turqia mbështetë plotësisht pavarësinë, sovranitetit dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe mbështet Qeverinë e Kosovën në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit, sundimin e ligjit dhe rendit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Z. Bozdag shtoi se vendi i tij mbetet i gatshëm që ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e vendit dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen. Ai tha se inkurajon Kosovën që përsëri t’i kthehet dialogut teknik për të zgjidhur çështjet praktike që rëndojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Turqia është e interesuar që të investoje më shumë në Kosovë, pasi ky vend ka potenciale të shumta të cilat do ta bëjnë shtetin e Kosovës një vend shumë të zhvilluar ekonomikisht. Z. Bozdag tha se vendi i tij do ta ndihmojë aktivisht Kosovën për shtimin e numrit të njohjeve dhe anëtarësimin e saj në NATO, OKB dhe institucione tjera relevante.