Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 14:17

Prishtinë – Në takimin e radhës të Komisionit Qeveritar për persona të Zhdukur, Zv/kryeministrja Edita Tahiri tha se Kosova në raundin e tetë të bisedimeve ka paraqitur platformën dhe pesë kërkesat e saja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ajo tha se i tërë procesi ka stagnuar për shkak të politizimit të çështjes nga ana e Serbisë, prandaj sipas saj është parë nevoja për një shtytje të re. Prandaj edhe si kërkesë e parë ka qenë që të fuqizohet çështja e zgjidhjes së problemit të të pagjeturve me ndërmjetësimin dhe garancën nga Bashkimi Evropian.

“Arsyeja për këtë ka qenë që pikërisht pse ka pas stagnim në procese .kemi vlerësuar se një rol i BE-së në këtë proces do ta shtyjnë përpara procesin”, tha Tahiri.

Ndërkaq, kërkesat e tjera kanë qenë  gatishmëria e të dy palëve që të japin informacione për varrezat masive, si dhe metodologjitë për rritjen e kapaciteteve si dhe i gjithë legjislacioni për këtë çështje t’i miratojnë në parlamentet e tyre. Ndërkohë Thairi tha se Bashkimi Evropian ka nxjerr një konkluzion, duke angazhuar një ekip profesional për të parë se çfarë mund të jetë roli i BE-së në këtë çështje.

Tahiri, gjithashtu bëri te ditur se në Bruksel është kërkuar që çështja e të pa gjeturve të trajtohet si çështje humanitare dhe jo politike, por megjithatë kjo çështje ka vazhduar të politizohet nga ana e Serbisë .