Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 18:46

Bruksel – Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, zëvendëskryeministrja  Edita Tahiri, ka deklaruar sot në mbrëmje se edhe raundi i dytë i takimit në Bruksel, ka kaluar në një atmosferë konstruktive. Ajo ka thënë se këto bisedime midis dy shteteve të pavarura kanë si qëllim disa objektiva, sidomos lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe afrimin e tyre, pra të Kosovës dhe të Serbisë, drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.

Në fokus të dialogut të sotëm ishin çështja e telekomunikacionit, energjisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Të dyja palët kanë propozuar zgjidhje për problemet rreth këtyre çështjeve, por ende nuk janë arritur rezultate konkrete të pranueshme për të dyja delegacionet.

“Edhe kjo ditë ka kaluar në një atmosferë konstruktive. Temat që u diskutuan ishin telekomunikacioni dhe energjia. Është shënuar progres, por përparim është bërë për temat nga raundi i parë, sidomos për çështjen e regjistrit civili, derisa për çështjen e regjistrit kadastral kemi mendime të ndryshme”, tha Tahiri për edicionin e lajmeve në RTK.

“Kemi insistuar te origjinali i dokumentacionit kadastral, dhe për këtë nuk do të lëshojmë pe. Sa i përket regjistri civil, ndoshta mund të pajtohemi të marrim kopjen. Edhe Kroacia, edhe Sllovenia, gjatë bisedimeve me Serbinë, në të kaluarën, kanë marrë kopjen e regjistrit civil”.

Në takimin e zhvilluar sot në Bruksel, për pak kohë ishte e pranishme edhe baronesha Ketrin Eshton, për t’i dhënë mbështetje dialogut. Tahiri tha se Eshton e ka siguruar se ardhmëria e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe ka premtuar se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën.