Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 19:35

Shefja e delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë Edita Tahiri për herë të parë ka folur për mundësinë e braktisjes së dialogut, nëse pala serbe nuk zbatonmarrëveshjet.

Zëvendëskryeministrja ka thënë se çdo veprim i Prishtinës për ndërprerjen e dialogut me Serbinë do të jetë në koordinim me BE’në dhe SHBA-në. Sipas saj, ende nuk ka një datë për rifillim të dialogut. Zv/kryeministja beson se pala serbe do t`u bindet presioneve të BE-së për të vazhduar dialogun e mbetur në gjysëm.

Shefja e delegacionit të Kosovës është kundër çdo diskutimi për çështjen e veriut dhe pikave doganore. Ajo shtoi se as faktori ndërkombëtar nuk mund të dalë me ndonjë propozim për të diskutuar për çështjen e brendshme të Kosovës për shkak të kornizave ligjore të Kosovës dhe të OKB-së.

Tahiri i ka quajtur demagogji deklaratat e Borko Steafanoviçit se Serbia po bisedon me ndërkombëtarët për dy pikat doganore të Kosovës. “Kjo që po bën pala serbe dhe z. Stefanovic, për mendimin tim, është më tepër një marketing politik për nevoja të brendshme politike. E njëjta retorikë fjalësh ka qenë edhe në shtator, kur afrohej raundi i shtatë.

Vazhdimisht ai e ka mbajtur publikun me një demagogji të tillë dhe mendimi im është se sa më parë që Serbia vetëdijesohet të kthehet pa kushte në dialog, sigurisht mund të sigurojë një perspektivë më të mirë evropiane”, ka shtuar ajo. Deri tani janë arritur 3 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Lëvizja e lirë, marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë.

Marrëveshja më e debatueshme është ajo e lëvizjes së lirë e cila prej muajsh është bllokuar pas vendosjes së barrikadave në veri, të cilat jo në pak raste kanë provokuar tensione dhe të plagusur.20 nëntori është kërkuar si afat i fundit nga pala kosovare për zbatimin e marrëveshjeve.