Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 11:01

Prishtinë – Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do ta pranojë temën e veriut në tavolinën e bisedimeve. “Unë vazhdimisht e kam theksuar se nuk do të ketë tema politike, vetëm praktike”, ka theksuar ajo.

Kjo përgjigje e shefes së delegacionit kosovar ka qenë reaksion ndaj medieve të vendit që kanë raportuar se ngjarjet e fundit të cilat kanë ndodhur në veri të Kosovës do të nxisin hapjen e bisedimeve për status special për këtë pjesë të vendit.

Për pamundësinë që dialogu nga ai teknik të “rrëshqasë” në politik, Tahiri ka thënë se tashmë janë deklaruar shumë herë aleatët më të fuqishëm të Kosovës.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe veçmas aleatët tanë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – vazhdimisht kanë konfirmuar se dialogu ka karakter teknik. Asnjë prej faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë nuk ka folur ndryshe përveçse për një dialog teknik”, është shprehur ajo. “Nuk mund të përjashtohen diplomatë që mund të promovojnë ide të tilla të gabueshme, përndryshe qëndrimi zyrtar i Uashingtonit dhe i Brukselit është që dialogu do të trajtojë çështjet praktike midis dy shteteve të pavarura – Kosovës dhe Serbisë”.