Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 09:53

Tiranë – Zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, deklaroi sot se “dialogu Kosovë-Serbi do të jetë me karakter teknik dhe ky dialog i shërben përmirësimit të marrëdhënive rajonale, por veçanërisht afrimit të Kosovës me BE-në”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Tahiri vuri në dukje se “Shqipëra ishte një shtyllë shumë e rëndësishme në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, që nga vitet e okupimit, deri te kjo ditë ku jemi dhe kjo përkrahje na bën më të fortë”.

Lidhur me dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i cili tashmë ka filluar në Bruksel, Tahiri nënvizoi se “është dialog me karakter teknik dhe ka për qëllim që të adresojë çështjet teknike që rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve që nga përfundimi i luftës dhe ju siguroj që ky dialog nuk do të marrë dimensione të tjera”.

Duke vënë në dukje objektivat e këtij dialogu, të cilat janë caktuar qartë si nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por dhe nga BE dhe SHBA, zv/kryeministrja e Kosovës deklaroi se “objektivi kryesor është që përmes zgjidhjes së çështjeve praktike të përmirësohet jeta e qytetarëve në të dyja vendet”.

Ndërsa zv/kryeministri Haxhinasto deklaroi se “ky proces dialogu do të jetë teknik për probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve, ku Kosova prezantohet si një shtet sovran, me të drejta të plota”.

“Është e rëndësishme që Kosova të përfshihet në një proces të shpejte të integrimit në BE dhe një procesi te shpejtë të marrjes së statusit të vendit kandidat”, tha shefi i diplomacisë shqiptare.

Në përfundim numri dy i qeverisë shqiptare i cilësoi të mira edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat zhvillohen në të gjitha planet e bashkëpunimit.