Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 16:20

Prishtinë – Zv/kryeministrja kosovare, Edita Tahiri, duke folur për Kosovën në Takimin Strategjik të Lobit Rajonal të Grave (RWLSEE) në Stamboll, theksoi përparimet në shtetndërtimin demokratik dhe reformat evropiane si dhe angazhimin konstruktiv në dialogun teknik me Serbinë, duke falënderuar me këtë rast BE-në për vlerësimin që i bëri Kosovës për reformat dhe konstruktivitetin në dialog. Me këtë rast, ajo ftoi Serbinë që të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel si dhe të zhbëjë strukturat paralele në respektim të standardeve evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Zv/kryeministrja Tahiri në mënyrë të veçantë nënvizoi se rajoni është në epokën euro-atlantike dhe është me rëndësi që politikat e shteteve të rajonit të udhëhiqen nga parimet euro-atlantike, si një rrugë e vetme për prosperitet dhe paqe të qëndrueshme në këto hapësira.

Temë qendrore e këtij takimi ndërkombëtar ishte “Gjendja e sigurisë në rajon dhe fuqizimi i grave në proceset e integrimeve euro-atlantike”. Në takim morën pjesë përfaqësuese të shtatë vendeve të rajonit dhe përfaqësuesit e organizatave të OKB-së nga UNWomen dhe UNDP.

Zv/kryeministrja Tahiri, e cila është njëkohësisht edhe Kryetare e Lobit Rajonal të Grave, në fjalimin e saj mes tjerash theksoi rëndësinë e reformave evropiane për vendet e rajonit, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në këtë takim strategjik të LRG-së kontribuuan përfaqësueset e shtatë vendeve të rajonit, ku krahas Kosovës ishin edhe nga Kroacia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia.