Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 22:52

Shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se është arritur në parim marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, por ajo nuk është konfirmuar ende. Në një intervistë për RTK, ajo e quajti këtë marrëveshje një ngjarje të madhe Bisedimet mkes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë vazhduan edhe të premten, në ditën e tretë, në Bruksel, pasi në dy ditët e kaluara nuk pati asnjë rezultat.

Sipas Edita Tahirit, me menaxhimin e integruar të kufirit, përfshihen 6 vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Me këtë marrëveshje, sipas saj, “janë mbrojtur interesat kombëtare të Kosovës dhe është respektuar Kushtetuta e Kosovës”. Ajo theksoi, se duke pasur parasysh qëndrimin konstruktiv të Kosovës në këto bisedime, tash pritet udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale me Kosovën. Raundi maratonik i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar deri në mbrëmjen e së premtes në Bruksel, në kohën kur burime të Bashkimit Evropian thoshin se palët janë jashtëzakonisht afër arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Dialogu  rifilloi në orët e pasdites pasi mbrëmë ishte ndërprerë rreth mesnatës, ndërsa pala kosovare e përfaqësuar nga Edita Tahiri kishte thënë se Prishtina ka pranuar marrëveshjen, porse Beogradi nuk e kishte pranuar atë. Pala kosovare ka kërkuar nga BE-ja që të thotë qartë se kush është fajtor për mosarritjen e marrëveshjes dhe ka fajësuar edhe një herë Beogradin për obstruksion në implementimin e marrëveshjeve që ishin arritur më parë. Gjatë ditës së premte shumë diplomatë në Bruksel kanë pohuar se deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel se Serbia nuk i ka përmbushur kriteret për të marrë statusin e kandidatit, pothuajse ka humbur gjasat e Serbisë që të ndodhë një gjë e tillë. Kjo ka shërbyer si një tronditje për delegacionin e Serbisë dhe shefi i këtij delegacioni, Borisllav Stefanoviq, të premten, para se të fillojë dialogu kishte thënë se vetë kthimi i Serbisë në këtë dialog dëshmon se Serbia dëshiron t’i përmbushë kushtet dhe është e gatshme të arrihet marrëveshje në mënyrë q ë Serbia të mos fajësohet si palë, e cila pengon marrëveshjen.

Tahiri: Menaxhimi i Integruar i Kufijve – model evropian

 Tahiri tha se vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak nuk mund të kenë pozitë të veçantë, siç kërkon Beogradi, por me Menaxhimin e Integruar të Kufijve, për të cilin angazhohet Kosova, duhet të përfshihen të gjitha vendkalimet kufitare në Kosovë. Sipas propozimit të Prishtinës për këtë çështje, ajo tha se do të nënshkruhej protokolli nga të tri palët: Kosova, BE-ja dhe Serbia, ndërsa të “dy shtetet do të vepronin në harmoni me autorizimet e tyre ligjore”, me qëllim që të sigurohet liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.