Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 18:40

Prishtinë- Mospërmbushja e obligimeve nga ana e Serbisë, vazhdimi i barrikadave në veri dhe ndërhyrjet ilegale politike të shtetit të Serbisë janë pengesa shumë serioze për perspektivat e dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka thënë zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri gjatë një takimi me një delegacion nga Ministra e Punëve të Jashtme të Suedisë. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i tha anëtarëve të delegacionit suedez se Kosova ka plotësuar të gjitha obligimet e procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe se mbetet e angazhuar për rezultate të reja. 

Mirëpo nga ana tjetër, ajo shprehu shqetësimet për mospërmbushjen e obligimeve nga ana e Serbisë duke thënë se vazhdimi i barrikadave në veri dhe ndërhyrjet ilegale politike të shtetit të Serbisë janë pengesa shumë serioze për perspektivat e dialogut dhe të cilat meritojnë vëmendjen më të madhe të Bashkimi Evropian dhe të Suedisë në veçanti.

“Kushtet e BE-së për Serbinë janë të qarta por ka një paqartësi apo mungesë vullneti nga ana e Serbisë për ti përmbushur këto kushte tha ajo, si dhe kërkoi që të rritet presioni ndaj Serbisë për respektuar marrëveshjet e arritura dhe fqinjësinë e mirë me Kosovën”. Për dialogun ka folur sot edhe kryenegociatori serb Borsillav Stefanovic.

Ai pas takimit me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, ka thënë se  Beogradi është i hapur për vazhdimin e dialogut dhe se ka qasje konstruktive në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme nga të dyja palët”, thuhet në komunikatën që ka bërë sot publike Qeveria e Serbisë.