Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 19:17

Prishtinë – “Kushtetuta e definon qartë konceptin shtetëror të Kosovës si shtet sovran”, ka thënë të mërkurën zv/kryeministrja Edita Tahiri, në takim me Drejtorin për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec.

Në këtë takim, ku ishte edhe Naim Rashiti, koordinator i projektit në Kosovë, u bisedua mbi raportin e fundit që ICG ka bërë për Kosovën.

Zv/kryeministrja Tahiri tha se “pas analizimit me kujdes të raportit për Kosovën të ICG-së, Qeveria e Kosovës konsideron se çfarëdo propozimi për autonomi, është i papranueshëm dhe joreal dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e dialogut teknik që ka filluar midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë.

Zv/kryeministrja Tahiri theksoi se “ky dialog do të jetë ekskluzivisht për çështje teknike, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy shteteve, përmirësimin e bashkëpunimeve rajonale dhe mbi të gjitha i shërben avancimit të agjendës evropiane për Republikën e Kosovës”.

Ajo shprehu besimin se dialogu teknik do të rezultojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe normalizim të marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteve, që është njëherësh parakusht për integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO.