Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 08:05

Prishtinë – Shefja e Delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka takuar dje pasdite në Bruksel ndërmjetësin e BE-së në dialogun teknik, z. Robert Cooper nga i cili u njoftua për vendimin e tij për të anuluar raundin e gjashtë të bisedimeve.

Z. Cooper me keqardhje ka njoftuar zv/kryeministren Tahiri për vendimin e tij për të anuluar raundin e gjashtë të bisedimeve, me arsyetimin se kishte vlerësuar se ka nevojë që të punohet më tepër për finalizimin e marrëveshjeve në katër çështjet të cilat janë shumë afër zgjidhjes si: energjia, telekomunikacioni, tregëtia e lirë dhe kadastrat.

Znj. Tahiri, në këtë takim ka konfirmuar angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për zgjidhje evropiane të këtyre çështjeve dhe se ka udhëtuar në Bruksel e përgatitur maksimalisht për të arritur rezultate konkrete. Ajo ka vlerësuar angazhimin e BE-së për dialogun teknik, duke theksuar se pala e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin për dialogun teknik me besimin se ky dialog është në dobi të qytetarëve dhe në dobi të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë zyrtare pas këtij takimi, zv/kryeministrja Edita Tahiri ka thënë se “raundi i gjashtë i dialogut është anuluar për fajin e palës serbe, e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, përkatësisht njohjen e  vulave të doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga Bashkimi Evropian. Me këtë qëndrim, Serbia vazhdon të shkel parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një prej parimeve fondamentale të Bashkimit Evropian”. Ajo ka porositur Serbinë që orientimi proevropian nuk bëhet me retorikë, por me politika e vendime proevropiane, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e saj.

Mësohet se raundi i radhës do të mbahet në fillim të shtatorit, përfundon njoftimi nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare.