Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 16:48

Prishtinë (PLOTËSUAR 17:33) – Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur t’ia shpërthejnë gomat e makinës dhe të gjuajnë me domate, por derisa nxorën “arsenalin” e tjetër, vezët e prishura, makina e kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, arriti të depërtojë nëpër turmën e tyre.

Me ndihmën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, zv/kryeministrja dhe shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka arritur të depërtojë në mesin e protestuesve, duke dalë nga Aeroporti i Prishtinës.

Ndërkohë, raportohet se aktivistët e Vetëvendosjes që shpërthyen gomat e makinës që e priste zv/kryeministren Tahiri, janë ndaluar nga policia.

Ne vënd se të vazhdojë drejt Prishtinës, vetura e Tahirit është ndalur në njësinë doganore afër Aeroportit të Prishtinës, për shkaqe sigurie, kanë bërë të ditur burimet e portalit.

Ndërkohë, numër i madh policësh nga Prishtina janë nisur në drejtim të aeroportit. (LajmeShqip.com)

*********************************

Prishtinë – Shefja e Delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka mbetur e ngujuar pasditen e së shtunës në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Burime të Portalit LajmeShqip.com, kanë bërë të ditur se qindra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur te porta dalëse e ndërtesës së aeroportit, në pritje të Zv/kryeministres së Republikës së Kosovës, të “armatosur” me vezë të prishura, në shenjë proteste ndaj arritjes së marrëveshjes së djeshme në Bruksel, në të cilën palët u pajtuan që në doganat me Serbinë të figurojnë vulat vetëm me mbishkrimin “Dogana e Kosovës”.

Aktivistët e Vetëvendosjes kanë vlerësuar se kjo është zhvlerësim i shtetësisë së Kosovës në raport me Serbinë dhe kompromis i bërë në dëm të shtetit të Kosovës.

Shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, e frikësuar nga përballja me vezët e prishura të Vetëvendosjes, ka mbetur e mbyllur në hapësirat e brendshme të aeroportit, ndërkohë që forca të policisë kanë filluar të merren me protestuesit e Vetëvendsojes. (LajmeShqip.com)