Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 08:00

Prishtinë-Zv.kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti sot në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff. Situata politike në vend si dhe ecuria e dialogut teknik Kosovë-Serbi ishin në qendër të diskutimeve mes palëve.

Tahiri foli për reformat e domosdoshme që po ndërmerren në arritjen e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2012, me qëllim integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO. Tahiri vlerësoi lart vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe fillimin e përgatitjeve për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur.

Nga ana e tij, Ambasadori Cliff ritheksoi mbështetjen e fuqishme për forcimin e shtetit të Kosovës si në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Britanisë për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Një pjesë e bisedës u përqendrua në dialogun teknik Kosovë-Serbi, për të cilin palët ranë dakord se, është në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal dhe rrit perspektivat evropiane për Kosovën.

Po ashtu, gjatë takimit u theksua rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, me theks të veçantë për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufjeve dhe domosdoshmërinë e heqjes së barrikadave dhe strukturave paralele serbe me qëllim normalizimin e asaj pjese dhe shtrirjes së plotë të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)