Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 07:37

Prishtinë – Kosova është dakord që takimi i dialogut teknik me Serbinë të mbahet më 2 shtator. Zv/kryeministrja Edita Tahiri, udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës në dialogun teknik, u takua të dje në Prishtinë me ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Robert Cooper, me të cilin bisedoi për përgatitjet për vazhdimin e dialogut, i cili ishte ndërprerë për shkak të mosgatishmërisë së palës serbe për t’i njohur vulat e doganave të Kosovës, bëjnë të ditur burime zyrtare nga qeveria kosovare.

“Në këtë takim u diskutua për axhendën e dialogut si dhe u ra në dakord që në takimin e radhës në Bruksel që do të mbahet me 2 shtator, temat që do të diskutohen do të jenë: çështjet e tregtisë së lirë përkatësisht njohja e vulave të doganave të Kosovës, çështja e telekomunikacionit, energjisë, kthimi dokumenteve kadastrale si dhe bashkëpunimi rajonal”, theksojnë burimet.

Sipas komunikatës, zv/kryeministrja Tahiri siguroi Cooperin se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve praktike me shtetin fqinjë Serbinë përmes dialogut duke respektuar plotësisht Kushtetutën, Ligjet dhe Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe parimet euroatlanike.

“Sikurse gjatë gjithë procesit të deritashëm, pala e Kosovës mbetet një palë konstruktive në dialogun teknik duke kontribuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, si standarde kruciale për integrimin evropian të Kosovës”, tha shefja e delegacionit kosovar, EditaTahiri.

Palët u pajtuan se dialogu në Bruksel është në funksion të fqinjësisë së mirë dhe forcimit të paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të integrimeve evropiane për të dyja shtetet.

Para raundit të gjashtë të dialogut tenik mes Kosovës e Serbisë, ndërmjetësi evropian Robert Cooper, mbërriti sot në Prishtinë për t’u takuar me shefen e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, pas qëndrimit dje në Beograd, ku u takua me shefin e delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanoviq.
Dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë, i cili nisi më 8 mars në Bruksel, në raundin e gjashtë ishte paralajmëruar të mbahej më 20 e 21 korrik, por u anulua për faj të palës serbe. Pas kësaj qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e parimit të reciprocitetit në shkëmbimin tregtar me Serbinë.