Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 11:49

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mbrëmje, një takim me Zëvendëskryeministren e Kosovës dhe negociatoren e Republikës së Kosovës në Bruksel,  Edita Tahiri.

Takimi i zhvilluar mbrëmë nuk ishte njoftuar as nga kryeministria në Tiranë dhe as nga zyra e Tahirit në Prishtinë.

Ndërsa sot zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se në këtë takim, zonja Tahiri informoi Kryeministrin Berisha për të gjithë ecurinë e bisedimeve me palën serbe dhe me njësinë e Brukselit, si dhe zhvillimet pas vendimit të heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi pavarësinë e Kosovës.

Në takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht qëndrimet e qeverisë së Kosovës në negociatat e Brukselit, si një proces shumë i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të gjithë rajonin.

Në takim të dy bashkëbiseduesit u shprehën se problemet në veriun e Kosovës janë probleme të krijuara dhe të manipuluara nga Beogradi.

Respektimi i marrëveshjeve nga Serbia dhe heqja e strukturave paralele nga veriu i Kosovës është një kusht përcaktues për ecurinë normale të procesit të Brukselit.

Të dy ndanë të njëjtin mendim se strukturat paralele në veri të Kosovës dhe mosrespektimi i marrëveshjeve nga pala serbe përbëjnë një nga problemet më serioze midis Kosovës e Serbisë, sikundër theksuan se Shqipëria dhe Kosova besojnë se respektimi kufijve aktualë të jugut të Ballkanit është interesi më i mirë i të gjitha vendeve dhe kombeve të rajonit.

Çdo skemë që do të konsideronte ndryshim kufijsh në një zonë do mund të sillte mbas vetes një zinxhir të tërë ndryshimesh në zona të tjera të kufijve, çka bie ndesh plotësisht me aspiratën europiane të vendeve dhe kombeve të Ballkanit. (LajmeShqip.com)