Beograd- Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, nëse ai do të pajtohej për të diskutuar për “planin” e Beogradit për Kosovën.
Duke folur mbrëmë në Jahorinë, ku u takua me presidentët e Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë, zoti Tadiç tha se ai ishte i “interesuar për pjesëmarrje në bisedime, që do të çonin te zgjidhja” për Kosovën.
Aktualisht, ai ka lënë të kuptohet se e ka përgatitur “planin” për Kosovën, që veçanërisht propozon “status special për Kosovën veriore”, rajon i banuar me popullatë shumicë serbe, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në plan, po ashtu, bëhet fjalë për statusin e manastireve të Kishës Ortodokse Serbe dhe pronën e banorëve serbë dhe të shtetit të Serbisë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë plan.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dje në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se është “në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane”.(rel)