Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 13:53

Berlin-Presidenti serb, Boris Tadiç u ka bërë thirrje serbëve të pjesës veriore të Kosovës që t’i largojnë barrikadat, një veprim që mund ta ndihmojë Serbinë në largimin e një pengese kryesore për marrjen e status kandidatit me 9 dhjetor, njofton agjencia e lajmeve Reuters. Tadiç gjithashtu ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për kontrollet kufitare.

Ai tha se zgjidhja e arritur në Bruksel, nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, nuk ishte idealja, por se ai e mbështetë plotësisht marrëveshjen për kufijtë. “Ne kemi arritur atë që është e mundshme për momentin”, ka thënë Tadiç para gazetarëve në Berlin. Bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit konsiderohet si kusht për fillimin e procesit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Tadiç tha se marrëveshja e kufijve është e limituar në shtrirje, pasi nuk përfshinë njohjen e simboleve të shtetit të Kosovës. “Kjo zgjidhje nuk përmban simbolet e shtetësisë së të ashtuquajturit shtet i Kosovës. Nuk ka asnjë simbol shtetëror e nuk do të ketë as zyrtarë doganorë të Kosovës që do t’i kryejnë detyrat e veta. Ata nuk do të jenë vëzhgues”, ka thënë Tadiç. Më këtë zgjidhje, vazhdon Tadiç, Beogradi ka arritur të krijojë një situatë shumë më të mirë se  vite më parë.