Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 12:47

Prishtinë – Sylejman Selimi ka tri ditë që është bërë ambasador i Kosovës në Tiranë. Por karrierën prej diplomati ai e ka nisur pa u bërë publik dekretimi që pretendohet ta ketë marrë nga presidentja Atifete Jahjaga.

Për rrjedhojë, emri i tij vazhdon të mos jetë i përfshirë në listën e ambasadorëve që ka Kosova në shtetet e jashtme. Në realitet, Ambasada në Shqipëri dhe ajo në Slloveni janë të vetmet në mesin e 20 përfaqësive diplomatike të vendit, që figurojnë pa shefa.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të punonte në heshtje, sikur lajmin për fillimin e punës në Tiranë nuk do ta publikonte Presidenca e Shqipërisë. Kjo ndodhi më 20 mars, kur Selimi ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit shqiptar, Bamir Topi. Aty ai e mori epitetin e “ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë”.

Në Presidencën e Kosovës e kanë konfirmuar se Selimi është dekretuar nga Jahjaga para se të niset për në Tiranë, ndërkohë që çështjen e mospublikimit të dekretit e kanë ndërlidhur me deklarimet mediale dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Që nga fillimi i këtij procesi, Zyra e presidentes së Republikës së Kosovës ka ndjekur procedurat ligjore dhe konfidencialitetin që rrethon emërimin e kandidatëve në pozita të ambasadorëve. ZPRK ka kryer procedurat që i takojnë në këtë proces me përpikëri, dhe në momentin kur ne jemi pyetur nëse presidentja ka emëruar ndonjë nga kandidatët, e kemi bërë lajmin publik në komunikim me mediat”, ka thënë Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Jahjaga. Në rastin konkret, sipas tij, “lajmi për emërimin e ambasadorit Selimi është publikuar nga MPJ-ja”.

Mirëpo, në MPJ e demantojnë këtë pohim. “Ne si ministri nuk kemi lëshuar ndonjë komunikatë për fillimin e punës së Sylejman Selimit si ambasador në Tiranë”, ka thënë Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj. Ai vetëm e ka pranuar se Selimi është dekretuar nga presidentja Jahjaga para se të nisë punën në Tiranë.

“Pa dyshim që Selimi është dekretuar, ndryshe nuk do të mund t’i dorëzonte letrat kredenciale tek presidenti Bamir Topi”, ka thënë Behrami. Pos Sylejman Selimit që tashmë është vendosur në Tiranë, MPJ-ja ka  planifikuar që Vjosa Dobrunën ta dërgojë në Kolumbi; Mimoza Ahmetajn në Slloveni; Bukurie Gjonbalajn në Itali; Ylber Hysen në Maqedoni; Ahmet Shalën në Belgjikë; Akan Ismajlin në SHBA; Shpend Kallabën në Bullgari; Amir Ahmetin në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Skënder Xhakaliun në Gjermani.