Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 16:50

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pasi ka pranuar disa informacione dhe ankesa nga qytetarët, si dhe pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore preliminare, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve të PK-së (njëri nga ta me pozitë të Drejtorit Rajonal të PK-së në Prizren kurse tjetri udhëheqës në sektorin e hetimeve të vrasjes në të njëjtën Drejtori Rajonale).

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media të dërguar nga IPK, ndërsa thekson se rekomandimi për suspendim deri në njoftimin tjetër bazohet në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, neni 17 – paragrafi 12.

 “IPK asnjëherë nuk paragjykon vendimin final të organeve të drejtësisë (bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë). Inspektorati Policor garanton qytetarët e vendit se çdo herë do të angazhohet për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve por edhe ruajtjes me vendosmëri të kredibilitetit të Policisë së Kosovës”, theksohet në njoftim.