Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 10:25

Prishtinë -Publicisti Veton Surroi pas më shumë se dy vjet “heshtje” për zhvillimet politike, shpreh mllefin e tij për degradimin e Kosovës në vazhdimësi. Ai thotë se për 14 vjet pas përfundimit të luftës kanë avancuar vetëm fatet personale e materiale të kastës politike e jo edhe fatet e njerëzve të rëndomtë
Duke folur për përfshirjen e zyrtarëve në pushtet në skandale të shumta, Surroi tha se “sot shteti i Kosovës politikisht është i kapur, i zënë, e ka zaptuar një valë e krimit të organizuar, e ky krim e ka dëshmuar veten me vjedhjen e votës”.

Sipas Surroi, “meqenëse vjedhja e votës konsiderohet krim, atëherë vjedhja e organizuar e votës është krim i organizuar”.

Surroi, i cili ka qenë i përfshirë në disa procese negociatore me Serbinë, vlerëson se marrëveshja e fundit e arritur mes dy vendeve është vetëm marrëveshja e parë dhe se Kosova edhe për shumë kohë do të ketë punë me Serbinë.

Gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, autori i librit më të shitur në Panairin e fundit të Librit në Prishtinë, teksa flet për titullin e romanit “Miliarderi”, shton se “qëllimi i personazheve mund të jetë që të krijojnë një kuptim të tranzicionit, ku sikur edhe paraja, nis devalvimi i jetës në tërësi”.

Sipas tij, në përgjithësi shqiptarët në shekullin XXI janë i vetmi popull evropian, i cili ende ballafaqohet me kalimin e pragut normal demokratik, me kalimin në zgjedhjet e lira.