Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 12:14

Prishtinë (PLOTESUAR 17 mars, 17:15) Lidhja Demokratike e Kosovës dënon sulmin ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë. LDK-ja vlerëson se aktet e tilla, pavarësisht nga kush kryhen apo nxiten, në asnjë mënyrë nuk do të mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes të dyja vendeve.

LDK-ja konsideron se aktet e tilla kanë për qëllim pikërisht prishjen e këtyre marrëdhënieve, ndaj nuk i shërbejnë së ardhmes dhe prosperitetit të askujt.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Kosovë. AAK vlerëson se incidente të tilla synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet midis dy vendeve tona, ndërsa thekson se fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë është me interes të veçantë.

AAK kërkon nga organet e rendit që sa më shpejt të identifikojnë dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e kësaj vepre.

****************************

Prishtinë (PLOTESUAR 17 Mars, 15:45) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dënuar sulmin në ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë. “Hedhja e mjetit shpërthyes në ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, është një akt i papranueshëm për institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, thuhet në deklaratën e saj, njoftoi Zyra e presidencës së Kosovës.

Mëtutjue, theksohet se “ky akt, i dënueshëm nga të gjithë, është në kundërshtim me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, marrëdhënie këto që kanë njohur zhvillime dhe zgjerim të vazhdueshëm”.

Jahjaga tha se “kërkojmë nga organet përkatëse që të zbulojnë sa më parë autorët e këtij akti dhe t’i nxjerrin ata para drejtësisë”.

************************

Prishtinë (PLOTESUAR 17 mars, 13:45)-Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, dënon sulmin e ndodhur mbi Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Prishtinë, rreth mesnatës së mbrëmshme.

Në komunikatën e dhënë pak më parë MPJ e konsideron tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve tona këtë akt vandal.

Ministria e Jashtme kërkon nga organet e hetuesisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe të vënë para organeve të drejtësisë kryerësit e këtij akti të ulët.

Pëmes deklaratës MPJ shpreh angazhimin e institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë, përfundon komunikata.

Nga burime policore është njoftuar për median se mbi objektin ku gjendet përfaqësia e ambasadës, është hedhur koktej molotovi. Bëhet e ditur se nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë minimale.

**************************

Prishtinë-Policia e Kosovës ka rritur sigurinë për ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë gjatë gjithë natës pas një sulmi në mesnatë me molotov. Policia e ka konfirmuar incidentin, por ende po bëhen hetime për shkallën e tij dhe qëllimin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, ku tre persona kanë hedhur koktej molotovi nga një veturë e bardhë “Toyota” në objektin e ambasadës. Nuk janë raportuar të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.

Një togere policore, që po kalonte aty afër në momentin e hedhjes së bombës molotov dhe ajo menjëherë është hedhur në ndjekje të tyre duke e ndërprerë sulmin që mund të vazhdonte edhe më tej.

Policia gjendet ende në ndjekje të sulmuesve. Sulmi vjen në një kohë kur në Maqedoni ka një tension të lartë etnik prej disa ditësh. Vetëm pak ditë më parë ndaj ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë pati një sulm tjetër.