Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 08:00

Tirane – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh sonte në mbrëmje, gjatë një interviste televizive, se vizita e tij në SHBA ishte mjaft frytdhënëse, ku u përcollën mesazhe sa më pozitive për vendin.

“Jam i kënaqur që edhe mesazhet që kam marrë kanë qenë mjaft pozitive për vendin”, u shpreh Meta, duke theksuar se prioritet për vendin tonë është rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në.

“Kërkesa e Washingtonit është që Shqipëria të plotësojë 12 prioritetet e KE-së dhe të marrë statusin e vendit kandidat”, tha Meta.

Në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri, Meta theksoi se “për LSI-në, dy janë elementët kryesorë në këtë çështje. E para, Presidenti të zgjidhet në mënyrë Kushtetuese dhe, e dyta, që të jetë një proces jo vetëm kushtetues, por edhe sa më konstruktiv”.  

“Nuk kemi biseduar me PD-në për çështjen e Presidentit të ri. PD është faktor kryesor për zgjedhjen e Presidentit, sepse është forca kryesore në Parlament dhe pavarësisht nga emri që do të zgjidhet, është e rëndësishme që ky të jetë një proces konstruktiv dhe Presidenti të jetë një figurë e pranuar gjerësisht”, deklaroi Meta.

Kreu i LSI u shpreh se e sheh si të parakohshëm një kandidim të tij si President i vendit. “Duhet të vazhdoj në ngritjen e LSI-së si forcë politike, por dhe të kontribuoj në stabilitetin politik të vendit”, tha Meta.

Në lidhje me kodin e ri zgjedhor, Meta u shpreh se “për ne e rëndësishme është që të përfundojë sa më shpejt reforma zgjedhore. Përshëndes konsensusin e arritur për numërimin elektronik të votave. Është e rëndësishme që këto çështje të përfundojnë sa më shpejt, pasi efektet do të jenë më pozitive në raport me integrimin dhe ndryshimet  në kod do të mund të zbatohen në mënyrë sa më korrekte”.