Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 18:03

Prishtine – Studentët e Universitetit të Prishtinës si dhe nxënës të disa shkollave të mesme të Prishtinës, nesër do të mbajnë një marsh simbolik për Veriun e Mitrovicës. Marshi do të fillojë nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe do të përfundojë para Qeverisë së Kosovës.

Granit Kadriaj, student i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës tha se ky marsh protestues është një shenjë se studentët dhe gjimnazistët do të angazhohen intensivisht në mbrojtjen e vendit dhe formimin e një shoqërie emancipuese.

“Mjegullnaja dhe paqartësia që e shtresuar tashmë ka zënë vend në shoqërinë tonë, ka nevojë për një analizim, shpjegim dhe shpërfaqje të drejtë të gjendjes së tanishme. Ne si student të këtij vendi dhe kësaj shoqërie e shohim si qenësore definimin e kahes që duhet marrë vullneti i popullit të Republikës së Kosovës. Konsiderojmë se ky vullnet është duke u shpërdorur për politika ditore dhe në këtë rreth vicioz gjenden politikanët e korruptuar dhe të shantazhuar që u përshtatën shumë mirë me situatën”, ka thënë Kadriaj.

Ai shtoi se studentët dhe gjimnazistët do të angazhohen në bërjen e historisë ashtu siç e kërkon vullneti i popullit.

Ndërsa, Tringa Pajaziti, gjimnaziste nga Gjimnazi “Sami Frashëri” u ka bërë thirrje të gjithë organizatave studentore dhe të gjithë atyre qytetare të cilat janë të vetëdijshme për gjendjen aktuale në veri që të marrin pjesë në këtë marsh.

Ajo ka treguar edhe për mënyrën e zhvillimit të këtij marshi.

“Marshi do të mbahet më 20 dhjetor, ditë e enjte nga ora 13:00. Takimi i nxënësve nga shkollat mesme do të bëhet te “Trekëndëshi”, kurse studentët do të takohen te konviktet dhe të dyja palët do të takohen këtu para Bibliotekës Kombëtare prej nga do të niset marshi dhe do përshkojmë në sheshin e qytetit, dhe përfundimi i marshit do të shënohet para Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka thënë se presin edhe vullnetarë të qyteteve të tjera që të jenë pjesë e marshit.(G.E/LajmeShqip.com)