Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 08:02

Këshilli i Studentëve i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka reaguar kundër vendimit të ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, për të njohur diplomat e studentëve të diplomuar në degët e edukimit nëpër kolegjet private, të cilat deri tani nuk janë njohur zyrtarisht,

“Ne jemi të shqetësuar me këtë hap të ministrit, i cili barazon studentët e diplomuar në Fakultetin e Edukimit të UP-së me ata të kolegjeve private”, thuhet në reagimin e studentëve të Edukimit. Sipas tyre, një vendim i tillë “është politik, tendencioz dhe i papranueshëm”.

Kreu i Ministrisë së Arsimit para pak ditësh ka sjellë vendim që të diplomuarve në programet e licencuara të studimit për përgatitje të mësimdhënësve të ofruara nga Bartësit Privat të Arsimit të Lartë, të licencuara para hyrjes në fuqi të Ligjit për arsimin e lartë, të shatorit të 2011-s, të konsiderohen të barabartë me të diplomuarit në programet e njëjta të ofruara nga universitetet publike.

Programet e fushave të edukimit dhe mësimdhënies janë ndaluar me Ligjin e 2011-s në kolegjet private. “Koha Ditore” ka raportuar se disa nga to kanë vazhduar të shpallin konkurse edhe më tutje në këto drejtime, ndonëse nuk i kanë pasur të licencuara as gjatë periudhës para vitit 2011.