Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 09:59

Strugë – Nuk është marrë asnjë masë në zgjidhjen e problemit të familjes së Veton Selës, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur në udhëkryq, për shkak se në shtëpinë në të cilën jeton ai bashkë me familjen e tij, rrezikohet nga shembja, sepse është shumë e vjetër, por që nga komuna nuk mund të marrë leje për ndërtim edhe pas disa kërkesave të bëra. Selës i është thënë nga autoritetet se në atë pjesë ku e ka ai shtëpinë, sipas planit urbanistik, i cili ekziston që nga koha e ish-Jugosllavisë, duhet të kalojë rrugë. Sela ka shtuar se autoritetet i kanë thënë atij që të presin deri në 10 qershor të vitit të kaluar, por edhe atëherë ka marrë përgjigje negative, e cila përgjigje nuk iu jep asnjë zgjidhje për ta siguruar familjen.

“Kur shkuam më 10 qershor të vitit të kaluar na thanë se duhet të presim edhe dy muaj të tjera, ndërsa arkitekti aktual, Nadmir Nexhipi ka thënë se nuk do të ketë asnjë mundësi për ndërtim, por vetëm se do të dalë rrugë dhe nuk do të mund të bëhet as renovim. Ne nuk kërkojmë nga institucionet përkatëse asgjë që nuk na takon, ne duam që problemi të zgjidhet me dy opsionet e mundshme, ose ta blejnë shtëpinë me vlerën që e meriton dhe ne të vendosemi atje ku na përshtatet, sepse këtu jemi në zemër të Strugës ose le të na japin leje për ndërtim”, ka thënë i shqetësuar Sela. Ai ka shtuar se shtëpia në të cilën jeton ai me familjen e tij, është shumë e vjetër dhe ka rrezik që të bjerë edhe çatia. “Sa herë që bie shi pikon edhe brenda, ndërsa këtë realitet e ka pare më 6 maj të vitit 2010 edhe vet kryetari i komunës, i cili para të gjithë të pranishmëve premtoi se do të rregullohet çështja, por gjithçka mbeti vetëm premtim”, tha Sela. Prandaj, familja Sela kërkon me këmbëngulje që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë, në mënyrë që të dinë se si të veprojnë në të ardhmen për fëmijët e tyre.

Ndërkohë, Nadmir Nexhipi nga sektori për urbanizëm në Komunën e Strugës, ka thënë se prej vitit të kaluar, kur edhe “Koha e Re” e publikoi gjendjen e familjes Sela, situata është e pandryshuar dhe se për momentin priten disa dokumente nga ministria e Transportit.

“Për momentin pritet të dalë plani i ri urbanistik në bazë të çkaje ne do të veprojmë dhe njëherë për njëherë nuk mund të japim leje për ndërtim. Nëse vendoset që të blihet vendi, atëherë familjen Sela do ta dëmshpërblejmë”, iu kanë thënë autoritetet familjes, Sela. Në qytetin e Strugës, sipas planit urbanistik që ka mbetur që nga koha e Jugosllavisë, edhe shumë çështje tjera kanë mbetur të pazgjidhura. Nuk dihet se rrugët, të cilat kanë qenë të parapara prej në atë kohë, do të hapen ose jo, ndërsa qytetarët të cilët i kanë shtëpitë në ato vende nuk e dine nëse do të mbeten pronë e tyre, të cilën e kanë blerë, ose atë pronë do ta blejë komuna për t’i hapur rrugët, ndërsa e keqja qëndron aty se, disa prej qytetarëve nuk guxojnë as edhe t’i rinovojnë shtëpitë, të cilat i prek plani urbanistik i viteve të 80-ta për hapjen e rrugëve, pa marrë parasysh nëse atyre iu rrezikohet jeta nga shtëpitë që mund t’u shemben.