Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 17:14

Strugë – Degët e partive shqiptare në Strugë, kanë shprehur gatishmëri për të bërë një koalicion të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ky koalicion, madje mëton të jetë i ngjashëm me modelin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009. Por ata, kanë edhe kërkesat e tyre në qoftë se arrihet deri te ajo.

Nga BDI-dega në Strugë, kanë deklaruar se janë të gatshëm për ta zbatuar modelin e zgjedhjeve lokale të vitit 2009 edhe në këto zgjedhje lokale, ku kryetari i degës së BDI-së në Strugë dhe njëkohësisht edhe kryetar i komunës Ramiz Merko është shprehur se gjithmonë janë të gatshëm për të punuar në të mirë të votuesve shqiptarë.

“Me bashkimin e votës shqiptare fitohen më shumë deputetë nga që shpeshherë partitë shqiptare nuk e arrijnë numrin e duhur një deputet dhe kështu humbasin më së paku dy deputetë shqiptarë në zonën 5”, ka thënë kreu i degës së BDI-së, njëherësh kryetar i komunës Ramiz Merko.

Ai ka shtuar se bashkimi i votës shqiptare e shton edhe kurreshtjen e daljes masovike të shqiptarëve në zgjedhje dhe është i vetmi motiv për ngadhnjim të elektoratit shqiptar në zonën 5. Merko ka shtuar se ata nuk do të prononcohen në zonën 6 dhe nënvizon se atje le të ketë garë partiake ndërshqiptare, sepse atje edhe thyhen shigjetat, por se njësia 5 ka karakteristikat e veta në këtë drejtim.

Lidhur me mundësitë për koalicion me PAE, dega e BDI-së në Strugë sipas tij, nuk mund të prononcohet pasi që kjo është punë e kryesisë qendrore, por dega Strugë është, “pro koalicionit me partitë shqiptare, pasi që të gjitha e kanë dhënë konbtributin e tyre në zgjedhjet lokale të vitit 2009, ku fitoi kandidati i BDI-së”. Nga ana tjetër, nga dega e Demokracisë së Re (DR) në Strugë theksojnë se për momentin ata i përmbahen vendimit të kryesisë qendrore që të mos bëjnë koalicion me asnjë parti politike.

“Ne për momentin e respektojmë vendimin e kryesisë qendrore që në këto zgjedhje parlamentare të mos dalim në kooalicion me asnjë parti dhe jemi të sigurt se në zonën numër 5 do të dalim fitues, ndërsa kur bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve dhe votuesve shqiptar do të mbështetnim ndonjë iniciativë të përbashkët, por tani për tani është herët për të vendosur”, kanë thënë nga zyra e Degës së DR-së Strugë. Qëndrim të ngjashëm kanë dhënë edhe nga dega e PDSH-së në Strugë por duke theksuar se ata do të kërkojnë edhe disa kritere për koalicionim.

“Para përgjigjes do të jepja një para-tezë, nisur nga qëndrimi i kryetarit të komunës, sepse normal nëse kishte moral pas gjithë situatës me koalicionimin me PAE-në e normalisht edhe ai por edhe struktura e BDI-së në Strugë do ta kishte për turp sot t’i thotë vetes kryetar i BDI-së së Strugës, deputet i BDI-së i kësaj zone apo edhe anëtar i thjeshtë i BDI-së”, ka thënë Zijadin Sela, kryetar i degës së PDSH-së në Strugë.

Sela ka shtuar se ata do ta mbështesnin një koalicion të mundshëm të partive shqiptare në zonën 5 por me kushte të caktuara.

“Në lidhje me kushtimisht thënë ofertën që qarkullon në zonën 5 për një koalicion të mundshëm PDSH-Strugë është pro kësaj ideje për modelin e 2009-s por me një ndryshim shumë esencial. Koalicion ‘PO’ rreth platformës politike të PDSH-së për parlament dy dhomësh dhe ndarje proporcionale të buxhetit”, ka thënë Sela. Përndryshe, qytetarët e Strugës, lidhur me këto deklarime të partive politike në Strugë theksojnë se është herët për të dhënë qëndrimin e tyre për shkak se ndryshime mes udhëheqësve politik ka deri në momentin e daljes në votim të qytetarëve.