Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:08

Strugë – Shtatorja e Nuri Mazarit “Komandant Struga”, gati pesë vite me radhë qëndron e ngujuar në podrumin e shtëpisë së kësaj familje, ndërsa u ndërtua me qëllim që të vendoset në sheshin e qytetit të Strugës, vendi i cili është përgatitur po ashtu prej atëherë kur këtë e votoi edhe Këshilli komunal i Strugës. Si gjithmonë edhe këtë vit në fshatin Dollogozhdë të Strugës, pra të enjten, është shënuar manifestim me vendosjen e luleve te varreza e komandantit dhe busti në qendër të fshatit dhe më pas për nder të kësaj u mbajt aktivitet kulturoro-artistik te shkolla që edhe mban emrin e tij. Pjesëmarrës aty kanë qenë kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës (SHVL), Fazli Veliu, kryetari i komunës Ramiz Merko dhe shumë personalitete të tjerë. Në pyetjen se pse shtatorja e Komandant Strugës akoma qëndron në podrumin e shtëpisë së tij, dhe jo në sheshin e qytetit, Veliu me përgjigje, “se nuk ka ardhur ende koha”.

“Tani nuk është momenti për vendosjen e shtatores së Nuriut. Duhet të gjejmë një moment më të përshtatshëm, sepse nuk dëshirojmë të biem ndesh me palën tjetër”, ka thënë Fazli Veliu.

Por, dollogozhdarët dhe familjarët e Nuri Mazarit janë ndjerë të injoruar nga kryetari i Shoqatës së Veteraznëve të Luftës (SHVL) Fazli Veliu pasi që ai vetëm për disa çaste sa kishte arritur në Dollogozhdë ku kishte vendosur lule te varreza e Nuriut dhe për t’u larguar menjëherë. Këtë gjest të Veliut, madje nuk kishin arritur ta kuptojnë shumë bashkëfshatar të Mazarit. Dollogozhdarët janë shprehur të habitur se si është e mundur që pikërisht në këtë periudhë në qendër të Shkupit, Qeveria aktuale po vendos buste dhe përmendore të të ashtuquajturve “heronj të Maqedonisë” të cilat kushtojnë qindra miliona euro dhe të cilat grumbullohen nga buxheti dhe nga paratë e shqiptarëve, jo edhe shtatorja e Nuriut, e cila është ndërtuar falë kontributit nga vetë shqiptarët. Familjarët, bashkëfshatarët, shokët dhe miqtë e Nuriut shpresojnë që shumë shpejtë shtatorja e tij do të vendoset në vendin e saj. Nuri Mazari u vra më datë 11 korrik të vitit 2005 në fshatin Dollogozhdë. Ai ka qenë pjesëmarrës i luftës në Kosovë, Medvegjë, Bujanoc dhe konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni. Emrin e tij e mban edhe shkolla fshatit e cila në 5 maj shënon edhe patronatin e saj.